fbpx

Avantazhet e Bilingualizmit (Dygjuhësisë)

Për një kohë të gjatë është besuar që natyra e bilingualizmit, të njohësh dy e më shumë gjuhë, ka pasoja në zhvillim. Këto mite u krijuan, edhe vazhdojnë të besohen, nga studime dhe hulumtime të publikuara para viteve 70-ta.

Pasojat e bilingualizmit që u renditën në disa studime ishin ngecja në të folur, zhvillimi i ngadalshëm kognitiv dhe emocional, IQ e ulët, probleme në sjellje, konfuzion etj. Madje u dhanë edhe disa arsye që për kohën e sotshme duken mjaftë absurde siç është majtizmi tek fëmijët bilingual apo ngecja në zhvillimin seksual. (p.sh Saer, 1923; Darcy, 1946)

Sot vlerësohet se këto studime kishin shumë mangësi në metodologjinë e përdorur gjë që shpoi në arritjen e konkluzioneve të gabuara. Disa nga këto mangësi ishin se grupet që morrën pjesë në këto studime u testuan në gjuhët e tyre jo dominante, u injoruan diferencat e kandidatëve si diferencat kulturore, sociale, financiare, gjinore dhe diferencat në moshë.

Fatkeqësisht, këto mite akoma vazhdojnë të ekzistojnë gjë që bënë që njerëzit të ngurojnë të mësojnë gjuhë të huaja. Ky ngurim vërehet veçanërisht tek prindërit të cilët refuzojnë që të lejojnë fëmijët e tyre të mësojnë një gjuhë tjetër përveç amëtares me frikë që gjuha e dytë do shkaktoj problemet e përmendura më lart.

Pas viteve 60-70 linguistët kryen studime më të kontrolluara dhe erdhën në konkluzione të reja që bien në kundërshtim me ato të vjetrat. Studimet e reja tregojnë që në fakt rezultatet prej bilingualizmit, njohja e dy e më shumë gjuhëve kanë shumë përparësi tek fëmijët e të rriturit.

Disa nga avantazhet e bilingualizmit janë renditur më poshtë:

Avantazhe në funksione ekzekutive

Me funksione ekzektuive kuptojmë proceset kognitive që kontrollojnë veprimet tek njeriu për arritjen e qëllimeve të caktuara. Këto funksione janë esenciale për planifikim, injorimin e informatave të panevojshme, përthithjen e informatave me interes për personin si dhe të menduarit në mënyrë kreative.

Studimet tregojnë që personat që posedojnë dy e më shumë gjuhë performojnë më mirë në teste që kanë të bëjnë me matjen e funksioneve ekzekutive. (p.sh Bialystok & Shapero, 2005; Bialystok et al., 2004)

Aftësi më të mira në vetëdijen metalinguistike

Vetëdija metalinguistike është aftësia për të parë gjuhën dhe fjalët si pjesë të ndara nga kuptimi simbolik. Sipas studimeve të reja, fëmijët që flasin më shumë se nje gjuhë kanë aftësi më të mira metalinguistike.

Një shembull i tillë është që fëmijët që flasin dy gjuhë e kanë më të lehtë të ndajnë objektin nga kuptimi, e kanë më të lehtë të shqiptojnë tinguj që nuk janë të zakonshëm në gjuhën e tyre amëtare, të mësojnë gjuhë të reja por edhe të kuptojnë fjalë dhe fjali me kuptime ironike, satirike dhe metaforike.

Plakje kognitive më të ngadalshme

Hulumtimet e ndryshme të kryera nga neurolinguistë dhe psikolinguistë tregojnë që individët bilingual në mosha më shtyera performojnë më mirë në teste të memories, procesimit të informacionit, kohës së reagimit, marrjes së vendimeve etj. në krahasim më grupet monolinguale. (Kavé et al. 2008; Bak et al., 2014; Perquin et al. 2013)

Një tjetër gjetje e rëndësishmë tregon se individëd që flasin vetëm një gjuhë preken nga demensia apo sëmundja e Alzhaimerit deri në 5 vite më herët se ata që flasin dy gjuhë. (Bialystok et al., 2007). Pra, në një formë bilingualizmi mbronë nga sëmundja e Alzhaimerit dhe harresa.

Avantazhe socio-ekonomike

Në botën moderne, ku globalizimi dhe globalizmi po merr hov çdo ditë e më shumë, është e qartë që njohja e shumë gjuhëve sjell benefite dhe privilegje. Një shembull është që njerëzit që flasin gjuhët e shkencës dhe të teknologjisë kanë qasje në tregje të gjera të punës mbarë botën, si dhe mundësi më të mira për edukim.

Si përfundim bilingualizmi tek fëmijët dhe të rriturit, në kundërshtim me shumë mite ekzistuese, ka shumë benefite sa i përket zhvillimeve kognitive krahas atyre socio-ekonomike.