fbpx

4 taktika për t’i motivuar studentët tuaj gjatë të mësuarit të anglishtes

Një nga detyrat më të vështira që një mësimdhënës mund të ketë, është të motivuarit e studentëve në mënyrë të duhur. Gjatë të mësuarit të anglishtes sidomos, studentëve shpesh u mungon inkurajimi dhe durimi për të vazhduar tutje.

Mësimdhënësit luajnë një rol të rëndësishëm  në përcaktimin se sa mirë një student i kupton konceptet e çdo lënde të caktuar, në këtë rast të anglishtes. Megjithatë, një studim më i thellë i stileve të të nxënit që i përshtaten më mirë çdo studenti është gjithmonë një avantazh i shtuar për mësimdhënësin.

Kjo mund t’i atribuohet faktit se shfrytëzimi i njohurive të tilla mund të ndihmojë mësimdhënësin të rrisë nivelin e interesit që shfaq një student për një lëndë.

Shumë nxënës mund të zbatojnë disa strategji të të mësuarit, por shpesh preferojnë të mbështeten në strategjinë që ata njohin më mirë. Është pranuar gjerësisht nga mësimdhënësit në mbarë botën se studentët që angazhohen në mënyrë aktive në procesin e të mësuarit ka të ngjarë të arrijnë sukses më të madh.

Sapo studentët janë të përfshirë në një proces të caktuar mësimor që u përshtatet atyre, ata ndihen të fuqizuar dhe prirja e tyre për arritje më të larta personale rritet ndjeshëm.

Këtu janë disa nga strategjitë më efektive për t’i inkurajuar studentët tek mësojnë anglisht:

1. Bëni orët më komunikative. Një mënyrë për të inkurajuar motivimin e brendshëm të studentëve tuaj është ta bëni orën sa më komunikative. Qëllimi kryesor i mësimit të gjuhës është përdorimi i saj për të komunikuar. Studentët e anglishtes ndihen me më shumë vetëbesim kur mund t’i përkthejnë me sukses mendimet e tyre në fjalë dhe t’i shprehin ato lirshëm.

Përveç kënaqësisë së komunikimit, është gjithashtu edhe fakti që shumica e studentëve duan të përfitojnë nga mësimi i anglishtes. Me fjalë të tjera, këtu qëndron motivimi i tyre i brendshëm – ata tashmë janë të etur që të jenë në gjendje të komunikojnë në anglisht për arsyet e tyre, ju vetëm duhet të jua mundësoni ta praktikojnë atë.

Qëllimi i mësimit të anglishtes për  disa studentë është komunikimi në biznes. Për të tjerët, qëllimi është të komunikojnë gjatë studimeve të tyre të avancuara në një universitet ose kolegj në gjuhën angleze. Të tjerë ende duan të eksplorojnë botën dhe do të përdorin anglishten për të udhëtuar dhe për t’u lidhur me njerëz në të gjithë globin. Pra, varësisht prej nevojës dhe kërkesës së studentit, është e rëndësishme që t’i nxisim ata të komunikojnë për tema të ndryshme.

Sa më shumë t’i inkurajojmë studentët tanë të komunikojnë në klasë, aq më të motivuar do të jenë ata. Ata do të shohin se po i përmbushin qëllimet e tyre edhe kur po  mësojnë, dhe suksesi dhe arritjet do t’i bëjnë ata më të gatshëm për të mësuar edhe më.

 

2. Mundohuni ta bëni orën sa më praktike. Studentëve nuk u pëlqen të bëjnë gjëra që janë të pakuptimta. Ata duan të dinë se ka një qëllim pas asaj që bëjnë, edhe nëse aktiviteti është i thjeshtë. Ju mund të theksoni qëllimin në aktivitetet tuaja kur i praktikoni ato.

Të mësuarit e anglishtes bazuar në projekte apo detyra është një mënyrë e shkëlqyer për t’i mbajtur gjërat praktike e të përqendruara në realitet, pasi fillon me një problem të vërtetë dhe u kërkon studentëve ta zgjidhin atë. Në mësimin e bazuar në projekte, studentët punojnë përmes një sërë hapash për të arritur në një zgjidhje për atë problem.

Kjo seri hapash mund të përfshijë: renditjen e informacionit të nevojshëm për të arritur një zgjidhje, zbërthimin e hapave të ndryshëm që do të duhet të ndërmarrin për të zgjidhur problemin, mbledhjen e informacionit të nevojshëm, arritjen e një përfundimi dhe prezantimin e zgjidhjes së tyre.

Procesi i të mësuarit të anglishtes është më i rëndësishëm se produkti përfundimtar, pasi aty studentët po përdorin vërtet njohuritë e tyre gjuhësore. Përqendrimi në proces gjithashtu ndihmon për të motivuar studentët në mënyrën e duhur, sepse nuk jeni duke u fokusuar në motivimin e jashtëm të një note në fund të detyrës. Përkundrazi, ju jeni duke theksuar komunikimin e suksesshëm gjatë gjithë procesit.

Loja me role është një mënyrë tjetër për të qëndruar të fokusuar në praktikë. Dhënia e situatave të jetës reale që ka të ngjarë të ndodhin në botën e jashtme, do t’u japë studentëve një shans për të praktikuar për të ardhmen.

3. Bëjini orët më argëtuese. Një orë mësimore argëtuese është një mënyrë e sigurtë për të ngritur motivimin tek studentët. Kur studentët kalojnë një kohë të mirë, ata do të jenë më të angazhuar në mësim. Motivimi i tyre do të vijë nga ata më shumë se nga ju. Thjesht duhet të gjeni mënyrat më të mira për t’i ndihmuar studentët tuaj të kalojnë kohë të mirë ndërsa mësojnë.

Përfshini në orët mësimore video, filma, muzikë, biseda, rrjetet sociale, lojëra etj. Duke i përfshirë të gjitha këto në orët tuaja, ju jo vetëm që po e bëni përdorimin e gjuhës praktike, por gjithashtu po sjellni diçka që studentët bëjnë për argëtim gjatë të mësuarit të gjuhës.

4. Jipni komente. Dhe konsideroni ato me kujdes gjithmonë. Sasia dhe cilësia e duhur e komenteve është e rëndësishme për krijimin e marrëdhënieve të duhura me studentët tuaj.

Nëse kaloni kohë duke korrigjuar çdo gabim që ata bëjnë, do të përfundoni duke i larguar studentët tuaj. Ata mund të respektojnë njohuritë tuaja, por nuk do të ndihen të lidhur me ju personalisht.

Është e rëndësishme të jepni reagime pozitive, si komplimente dhe inkurajim, si dhe kritika poashtu. Kur keni kritika për të dhënë, është më mirë t’i jepni ato së bashku me disa reagime pozitive. Diçka e vështirë është shumë më e lehtë për t’u dëgjuar kur paraprihet dhe pasohet nga diçka pozitive. Në këtë mënyrë asnjë student nuk do të ndihet i nënvlerësar apo të ndikohet nga komenti a kritika juaj.