Përmirësimi i gjuhës angleze përmes video-lojërave
Keni menduar ndonjëherë për përparësitë e video-lojërave?
Në dekadat e fundit, teknologjia po rritet me shpejtësi të madhe. Kur bie fjala për teknologjinë, video-lojërat mund të lehtësojnë të gjitha llojet e të mësuarit. Ato janë një nga teknologjitë më të rëndësishme të të mësuarit që ne kemi. Sondazhe dhe eksperimente të ndryshme vërtetojnë se video-lojërat ndikojnë pozitivisht në aftësitë e njerëzve, si të menduarit logjik, në aftësitë motorike dhe shumë të tjera.
Kjo është arsyeja pse disa procese mësimore përfshijnë aktivitete të video-lojërave. Ato sjellin shumë imagjinatë, kreativitet dhe zgjidhje problemesh, e poashtu kanë një ndikim në të kuptuarit e gjuhës. Në të shumtën e rasteve, përmbajtja e tyre është në gjuhën angleze. Si gjuhë ndërkombëtare, ajo ndihmon për të përfshirë më shumë lojtarë nga e gjithë bota, gjë që ndikon dukshëm në përmirësimin e saj.
Në këtë artikull do të lexoni disa sygjerime dhe arsye se përse video-lojërat janë një mjet i dobishëm për të mësuar anglisht.
- Lexoni udhëzimet para se të filloni të luani
Nëse jeni një person që pëlqeni video-lojërat, patjetër do t’ju pëlqejë ideja për të përmirësuar anglishten tuaj. Për të përfituar më shumë nga loja, përpiquni të lexoni të gjitha udhëzimet që ju janë dhënë. Edhe pse shumë adhurues të video-lojërave i kalojnë udhëzimet në lojë, ju duhet t’i lexoni dhe dëgjoni me kujdes. Nëse nuk kuptoni diçka, bëni një shënim dhe kontrolloni nëse mund ta zbuloni gjatë lojës. Kështu, do të jeni shumë të përqendruar për të luajtur ashtu edhe për të përmirësuar fjalorin tuaj dhe të forconi bazën tuaj gramatikore.
- Përsëritja është e mrekullueshme për kujtesën tuaj
Efekti i video-lojërave mundëson që të kuptosh dhe mësosh anglisht në mënyrë instinktive. Gjatë përsëritjeve të frazave ju bëheni më të rrjedhshëm – si në kuptimin e njerëzve të tjerë ashtu edhe në bisedën me ta. Kur luani disa lojëra në internet, do ta gjeni veten duke përdorur shumë nga këto fraza: BRB (“Be Right Back”), GG (“Good Game”) ose OMW (“On My Way”), “Do you follow my lead?”, “I am heading west”, etj.
Tani mund të imagjinoni se përsëritja është një teknikë e vlefshme për përvetësimin e gjuhës. Nëse komunikoni me lojtarë të tjerë kur jeni duke luajtur, askush nuk pret që anglishtja juaj të jetë e përsosur. Për këtë arsye, përdorni të njëjtat fjalë dhe fraza të dobishme ndërsa luani lojëra sepse sa më shumë t’i përdorni ato, aq më lehtë do të jenë për t’u mbajtur mend.
- Lojërat mund të ndihmojnë në përmirësimin e aftësive të ndryshme
Është e vërtetë që lojërat kanë një ndikim të madh kur bëhet fjalë për aftësitë. Nëse luani lojëra prej të cilave do t’ju duhet të ndërveproni me lojtarët e tjerë duke përdorur tekst ose zë, atëherë shanset për të rritur aftësitë tuaja të dëgjimit, të folurit, leximit dhe shkrimit janë të mëdha.
Sidoqoftë, mbani mend se nuk janë vetëm video-lojërat që mund të përmirësojnë anglishten tuaj. Ju mund të shkarkoni të gjitha llojet e lojërave në telefon ose tablet, shumë prej të cilave janë të shkëlqyera për mësimin e gjuhës. Për shembull, nëse doni të përmirësoni fjalorin tuaj, lojërat me fjalë si fjalëkryqet ose Scrabble janë të shkëlqyera.
- Lojërat e mësimit të anglishtes e bëjnë studimin më argëtues dhe reduktojnë stresin
Detyrat e shtëpisë, kuizet, testet dhe madje edhe detyrat në klasë mund të shkaktojnë një stress të madh te studentët. Video-lojërat dhe madje edhe shumica e lojërave të të mësuarit janë barazuesi i mrekullueshëm, sepse ato ndihmojnë në zbutjen e stresit, rritjen e angazhimit social dhe po, madje i ndihmojnë studentët të argëtohen ndërsa mësojnë anglisht. Shkencëtarët kanë zbuluar se jo vetëm që mund të mësoni anglisht ose ndonjë gjuhë të re më shpejt falë videolojërave, por ato gjithashtu mund të ofrojnë një gamë të gjerë përfitimesh të mundshme shëndetësore.
…
Pra, i keni lexuar të gjitha më sipër dhe keni arritur në përfundim se keni nevojë për video-lojëra në jetën tuaj. Por ku të filloni? Këtu janë disa lojëra të cilat ju ndihmojnë në përmirësimin e gjuhës angleze: Fable, Deponia, Wordle, Firewatch, 21 Days, Hangman, Scrabble, Crosswords, Charades, etj.