fbpx

Korrigjimi i gabimeve të studentëve gjatë të mësuarit të gjuhës angleze; çka duhet të bëjmë e çka jo

Gjatë punës suaj me studentë të gjuhës angleze, si mësimdhënës, ndoshta e keni pyetur veten në më shumë se një rast se kur, si dhe madje edhe nëse duhet të korrigjoni gabimet e studentëve tuaj.

Ndërsa korrigjimi i gabimeve në mësimin e gjuhës angleze varet kryesisht nga fakti nëse qëllimi juaj i mësimit është rrjedhshmëria apo saktësia e gjuhës, në çdo rast, ka disa gjëra kyçe që duhen ditur kur bëhet fjalë për korrigjimin efektiv – dhe me ndjeshmëri – të gabimeve të studentëve tuaj gjatë të mësuarit të gjuhës angleze.

Ekziston dallimi në mes të një gabimi dhe gabimi të rastësishëm apo siç mund ta quajmë ndryshe, lëshim.

Një gabim i rastësishëm është një aksident, diçka që studentët tuaj e dinë në të vërtetë dhe që me shumë mundësi mund ta korrigjojnë vetë nëse u jepet mundësia. Mund të jetë një gabim shtypi, duke përdorur fjalën e gabuar, ose një gabim i vogël gramatikor.

Në anën tjetër, një gabim i vërtetë, është diçka që studentët tuaj nuk e dinë sepse nuk e kanë mësuar ende ose e kanë harruar. Kjo është pjesa ku studentët tuaj kanë më shumë nevojë për ju, në mënyrë që të korrigjojnë në mënyrë efektive gabimet e tyre dhe t’i ndihmojnë ata të zhvillojnë aftësitë e tyre gjuhësore.

Nxënësit bëjnë shumë gabime gjatë përpjekjes së gjatë për të mësuar një gjuhë të re. Kjo është një pjesë e natyrshme dhe e domosdoshme e procesit mësimor. Si mësimdhënës, juve ju duhet t’i ndihmoni ata për të identifikuar llojin e gabimit në mënyrë që ta korrigjoni në mënyrë efektive dhe pa probleme.

Gabimet në gjuhën angleze në aftësitë e të folurit ose të shkruarit përfshijnë gabime gramatikore, fjalori, shqiptimi, si dhe gabime në prodhimin e një gjuhe të kuptueshme që mund të kuptohet qartë. Gabimet në aftësitë e dëgjimit dhe leximit përfshijnë keqinterpretimin e përmbajtjes, keqkuptimin e fjalëve ose thjesht paaftësinë për të kuptuar fjalimin e dikujt në tërësi.

Koha apo momenti kur ju i korrigjoni gabimet e studentëve gjatë orës mësimore të gjuhës angleze është vendimtare që mësimi juaj të jetë një sukses ose një dështim. Korrigjimi i gabimeve tek studentët ka një ndikim të madh në procesin e të mësuarit të studentëve tuaj dhe momenti i duhur kur ju vendsoni t’i korrigjoni ata do t’i ndihmojë ata të ruajnë informacionin e ri në mënyrë efektive.

Nëse po organizoni një orë të gjuhës angleze ose aktivitet ku qëllimi është rrjedhshmëria e gjuhës, përpiquni t’i monitoroni studentët tuaj dhe të mbani shënime për gabimet e mëdha ose gabime të përsëritura. Mos e ndërprisni fjalimin e studentëve tuaj. Kjo mund t’i dekurajojë ose t’i bëjë të humbasin motivimin për të folur lirshëm. Ruani korrigjimin e gabimit për në fund të orës.

Ju mund të jepni komente individuale ose të diskutoni gabimet më të rëndësishme me të gjithë klasën nëse studentët tuaj janë në rregull me këtë. Ju gjithashtu mund të përgatitni një kuiz në gjuhën angleze për mësimin e ardhshëm, duke prekur gabimet kryesore që keni vërejtur gjatë monitorimit të studentëve tuaj.

Nëse po mbani një orë ose aktivitet që synon saktësinë, për shembull duke aplikuar një rregull të ri gramatikor gjatë një bisede, mund ta korrigjoni menjëherë pasi të jetë bërë gabimi, duke supozuar se është një gabim në lidhje me rregullin në fjalë. Përderisa e keni sqaruar përmbajtjen tashmë, mund t’i inkurajoni studentët tuaj që fillimisht të korrigjojnë vetë gabimin e tyre ose mund t’u kërkoni shokëve të tjerë të klasës që të ndihmojnë.

Ju nuk keni nevojë të përqendroheni shumë në gabimet që bëjnë studentët e gjuhës angleze e që nuk kanë lidhje me mësimin aktual, pasi kjo mund të prishë përsëri përpjekjet e tyre për të përdorur gramatikën e sapo mësuar.

Nëse vëreni gjatë aktivitetit se studentët tuaj po bëjnë të njëjtat gabime vazhdimisht, mund të ndaloni aktivitetin, të rishikoni përmbajtjen e mësimit dhe të rifilloni praktikën pasi të siguroheni që të gjithë studentët tuaj e kanë kuptuar rregullin e ri.

 

Çfarë duhet të bëjmë?

  • Jini të ndjeshëm ndaj nevojave dhe preferencave të studentëve tuaj. Pyetni studentët tuaj në fillim të kursit apo orës mësimore tuaj se çfarë lloj korrigjimi preferojnë. (Shumë studentë pëlqejnë të korrigjohen menjëherë, sepse ata ende mund të kujtojnë gabimin e tyre dhe të mësojnë prej tij, ndërsa të tjerët duan të përqendrohen vetëm te rrjedhshmëria).
  • Jini të sjellshëm dhe të durueshëm në mënyrën se si korrigjoni. Gjithmonë inkurajojini studentët tuaj që të vazhdojnë të provojnë gjuhën e re që kanë mësuar dhe sigurojini se të bëjnë gabime është në rregull. Ju duhet t’i inkurajoni studentët tuaj të flasin dhe të eksperimentojnë me atë që kanë mësuar deri tani.
  • Jepuni nxënësve tuaj një shans të korrigjohen vetë, ose të aplikojnë korrigjimin e kolegëve në orën tuaj. Disa studentë mësojnë më mirë kur korrigjohen nga shokët e klasës në vend të mësimdhënësit.
  • Përdorni shenja vizuale. Ndonjëherë, thjesht ngritja e vetullave mund t’i ndihmojë studentët tuaj të kuptojnë se kanë bërë një gabim dhe kjo u jep atyre një shans për të korrigjuar veten. Përdorini gjestet tuaja për gabimet e zakonshme në kohën, fjalorin ose strukturën e fjalisë.

 

Çfarë nuk duhet të bëjmë?

  • Mos e korrigjoni çdo gabim që bëjnë studentët tuaj. Mbani korrigjimet të përshtatshme dhe sigurohuni që studentët tuaj të përfitojnë dhe të mësojnë prej tyre.
  • Shmangni ndërprerjen e studentëve tuaj kur ata po përpiqen të flasin rrjedhshëm. Kjo mund të jetë shumë joproduktive dhe studentët tuaj mund të humbasin motivimin ose të ngurrojnë të përdorin gjuhën e re që kanë mësuar.
  • Asnjëherë mos i qortoni studentët tuaj, mos u flisni me zë të lartë ose mos e tregoni padurimin tuaj me shprehjet e fytyrës së zemëruar. Nuk ka gabime pa kuptim. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur keni të bëni me nxënës të rinj, të cilët kuptojnë lehtësisht disponimin dhe emocionet.

Ne mësojmë duke bërë gabime. Si fëmijë, ne mësojmë se si të ecim duke u rrëzuar qindra herë. Si të rritur, ne mësojmë një gjuhë të re duke bërë gabime të panumërta në përdorimin e fjalëve, gramatikës, strukturës së fjalisë, shqiptimit. Gjëja më e rëndësishme për ju si mësimdhënës të gjuhës angleze është të korrigjoni gabimet e nxënësve tuaj në mënyrë të kujdesshme dhe efektive. Vetëm atëherë mund t’i ndihmoni ata të rriten dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre gjuhësore të fituara në një mjedis të rehatshëm dhe të sigurtë.