Leximi në gjuhën angleze dhe rëndësia e tij në mësimin e gjuhës
Një nga çështjet e zakonshme në kontekstin e të mësuarit të anglishtes si gjuhë e dytë është se studentët vijnë në klasë, presin të udhëzohen dhe pushojnë së menduari për anglishten sapo të largohen në fund të ditës së shkollës apo kursit të gjuhës. Si rezultat i kësaj, ata presin që ta mësojnë gjuhën vetëm në këtë mënyrë, pa qenë shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e disa komponentëve në mësimin e një gjuhe të huaj.
Një nga gjërat më të mira që mund të bëni çdo ditë për të përmirësuar anglishten tuaj është të lexoni. Leximi në gjuhën angleze ka një sërë përparësish në përgjithësi. Ai rritë fokusin tuaj, rritë aftësinë tuaj për të menduarit kritik dhe zgjon imagjinatën tuaj. Për më tepër, leximi në gjuhën angleze mund të jetë një teknikë shumë e suksesshme për të mësuar gjuhën. Më poshtë mund të gjeni disa benefite të leximit në gjuhën angleze:
- Përmirëson fjalorin tuaj – Megjithëse mësimi i fjalorit të gjuhës angleze mund të jetë sfidues, të mësuarit e tij pa një logjikë është edhe më sfidues. Gjuha angleze ka një fjalor mjaft të pasur me fjalë të ndryshme dhe nëse mungon përsëritja e këtyre fjalëve, nuk do të mbahen në mend shumica e tyre. Për më tepër, teknologjia dhe avancimet e ditëve të sotme kanë ndikuar padyshim edhe në shtimin e fjalëve të reja në fjalor. Prandaj, të praktikuarit e leximit në gjuhën angleze mundëson që ju të jeni të përditësuar (updated) me fjalët e reja në fjalor të gjuhës angleze.
- Përmirëson gramatikën tuaj – Leximi në gjuhën angleze gjithashtu ndihmon në zhvillimin e zotërimin tuaj të gramatikës. Ju mund të krijoni një kuptim intuitiv se si funksionon anglishtja duke parë se si përdoret ajo në kohë dhe mënyra të ndryshme në fjali. Në fakt, edhe studimet e ndryshme tregojnë se leximi në gjuhën angleze mund të përmirësojë të kuptuarit e gramatikës, si dhe aftësinë e dikujt për të përdorur gramatikën spontanisht në mënyrë korrekte.
- Studentët që lexojnë shumë zhvillojnë gjithashtu aftësi më të mëdha të të mësuarit të pavarur – Autonomia e studentit luan një rol vendimtar në përvetësimin e gjuhës, sepse inkurajon veprimin individual, i cili nxit progresin dhe arritjet e të mësuarit. Prandaj, shumë studime kanë për qëllim të shqyrtojnë se si aktivitetet e leximit ndikojnë në nivelet e autonomisë së nxënësve, sepse leximi është një nga komponentët kryesorë të aftësisë gjuhësore. Megjithatë, një program leximi në gjuhën angleze, i cili nuk përfshinë zgjedhjen e studentit në përzgjedhjen e materialit, ka shumë mundësi të jetë jo i suksesshëm. Prandaj, mësuesit dhe studentët njëkohësisht duhet të jenë në bashkëpunim të vazhdueshëm që së bashku të zgjidhet materiali që duhet lexuar nga studentët, në mënyrë që leximi të sjellë sa më shumë përfitime dhe pse jo të jetë edhe relaksues në të njëjtën kohë.
- Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, leximi të relakson – është vërtetuar se leximi e përmirëson relaksimin dhe ulë tensionin. Mendja dhe imagjinata angazhohen plotësisht gjatë procesit të leximit. Tashmë dihet që çdo aktivitet, në të cilin truri është plotësisht i përqendruar në një qëllim të vetëm, redukton stresin dhe nxit relaksimin. Për më tepër, leximi ka avantazhe përtej thjesht uljes së stresit dhe ankthit. Njerëzit që kanë lexuar shumë gjatë gjithë jetës së tyre kanë përmirësuar aftësitë mendore me kalimin e moshës. Me një fjalë, mund të thuhet se leximi është për mendjen ashtu siç është ushtrimi për trupin. E leximi në gjuhën angleze ka pra edhe një përparësi më shumë për ju; ju ndihmon edhe në përvetësimin e gjuhës.
Në mënyrë që leximi në gjuhën angleze të jetë edhe relaksues për ju përveç se informues, provoni të lexoni tema për të cilat keni më shumë interes dhe ju duken më interesante e zbavitëse për t’i lexuar. Në këtë mënyrë, i tërë procesi i të lexuarit do të ketë më shumë efekt dhe gjithashtu do e shijoni më shumë; nuk do e shihni si detyrim.