fbpx

Mënyra argëtuese për ta mësuar Gjuhën Angleze

Gjuha Angleze është një gjuhë gjerësisht e folur nëpër botë dhe shërben si mjet i komunikimit ndërkombëtar. E njohur për ndikimin e saj në fusha të ndryshme si: shkencë, teknologji, biznes, dhe art, ajo ka bërë të mundur bashkëveprimin global dhe shkëmbimin e njohurive. Përpos mënyrës tradicionale të mësimit në ambiente shkollore, egzistojnë disa mënyra mjaft efektive për të mësuar këtë gjuhë tërheqëse dhe globale, njëkohësisht shumë të rëndësishme për jetën e përditshme dhe profesionale.

1. Filmat dhe Serialet
Njera ndër mënyrat më të preferuara dhe të dobishme për mësimin e Gjuhës Angleze është, mësimi përmes filmave ose serialeve në Gjuhën Angleze. Filmat apo serialet mund të shikohen me titra në Gjuhën Shqipe por edhe në Gjuhën Angleze. Permes titrave në Gjuhen Shqipe ju mund të mësoni fjalë që nuk i dini, por edhe përmes titrave ne Gjuhën Angleze mund të mësoni njohuri të reja, në lidhje me mënyrën se si shkruhen fjalë të ndryshme. Kjo është një mënyrë argëtuese dhe efektive për të përmirësuar njohuritë tuaja.

2. Librat, Artikujt dhe Gazetat
Leximi i librave, artikujve dhe gazetave në Gjuhën Angleze është një mënyrë e shkëlqyer për të zhvilluar fjalorin dhe kuptimin e strukturave gjuhësore. Duke lexuar shkrime në Gjuhën Angleze, do të përballeni me një gamë të gjerë të fjalëve dhe shprehjeve, duke ndihmuar në ndërtimin e një fjalori të pasur, kuptimin e strukturave gjuhësore të Gjuhës Angleze, zhvillimin e aftësisë për të lexuar në gjuhë të huaj, si dhe zhvillimin e aftësisë për të kuptuar dhe analizuar argumente të ndryshme. Filloni me libra që janë në nivelin tuaj të njohurive. Kjo ju ndihmon të kuptoni më lehtë tekstin dhe të shmangni një lexim të vështirë.

3. Muzika
Mesimi i Gjuhës Angleze përmes ndëgjimit të muzikës është një mënyrë e këndshme dhe efektive për të përmirësuar njohuritë gjuhësore. Kënga ofron një kombinim të muzikës, tekstit, dhe shprehjeve artistike që mund të jenë një burim i pasur për mësuar dhe kupturar shprehje te ndryshme gjuhësore. Përmes analizimit të tekstit si dhe fjalëve të përdorura në tekst mund të mësoni shprehje të reja, kontekstin e përdorimit të fjalëve, si dhe interpretimin e teksteve të ndryshme muzikore. Mjafton të zgjedhni këngët e juaja të preferuara dhe t’i ndëgjoni herë pas here.

4. Intervistat
Intervistat përbëjnë një mënyrë të rëndësishme për mësimin e Gjuhës Angleze. Intervistat ofrojnë një mundësi për të dëgjuar gjuhën natyrale dhe të përshtateni me theksin, intonacionin, dhe shprehjet e përdorura nga njerëz të vërtetë. Intervistat ndihmojnë në përmirësimin e aftësisë dëgjuese, përshtatjen me shpejtësinë dhe me mënyrën se si flitet Gjuha Angleze, si dhe kuptimin e gjuhës së përdorur në situata të ndryshme. Intervistat mund të jenë shumë efektive për përvetësimin e Gjuhës Anlgeze sidomos nëse shikoni intervista dhe emisione me tema që ju interesojnë. Kjo ju bën të përfshiheni më shumë dhe të jeni më entuziast në mësimin e Gjuhës Angleze.

5. Podkastet
Dëgjimi i podkasteve në Gjuhën Angleze është një mjet kuptimplotë për të përmirësuar aftësitë dëgjuese, si dhe ofron mundësinë të dëgjoni gjuhën e përdorur në situata të ndryshme. Kjo metodë ndihmon në kuptimin e mëtejshëm të fjalëve dhe shprehjeve, përmes lidhjeve me ngjarje ose situata.
Poashtu do të bëheni më të njohur me llojllojshmerinë e thekseve të Gjuhës Angleze. Në disa raste, podkastet vijnë me përshkrimet ose transkriptet e bisedave.Si metodë është mjaftë efektive, mjafton të përzgjidhni podkaste që trajtojnë tema që ju interesojnë, në këtë mënyrë do të motivoheni më shumë për të mësuar.

6. Aplikacionet ‘Mësuese’
Aplikacionet ‘Mësuese’ mobile ofrojnë një gamë të gjerë të burimeve dhe aktiviteteve të përshtatshme për mësimin e një gjuhe të re. Aplikacionet mësuese ofrojnë ushtrime të ndryshme që kanë për synim zhvillimin e dëgjimit, leximit, shkrimit, dhe komunikimit në Gjuhën Angleze. Këto aplikacione përmbajnë mënyra të shumta për mësimin e Gjuhës Angleze. Ato përmbajnë ushtrime që mbulojnë tema për nivele të ndryshme mësimore. Përmes aplikacioneve si: Duolingo, BBC Learning English, Busuu, Lingodeer, përdoruesit mund të mësojnë Gjuhën Angleze mënyrë edukative dhe argëtuese.