fbpx

3 mënyra për të përmirësuar komunikimin në gjuhën angleze!

A ndiheni shpesh sikur nuk po bëni progres në të folurit anglisht edhe pse vazhdimisht lexoni, ushtroni gramatikë, shikoni filma apo edhe ndiqni kurse të gjuhës? A ngecni shumë herë në tentativat për të formuar madje edhe fjalitë më të thjeshta? Nëse përgjigja juaj është po, atëherë këto janë tri mënyra thelbësore në rast se doni të rrisni aftësinë tuaj të të folurit.

Sfidoni veten; dilni nga zona juaj e komfortit – E keni dëgjuar shpesh besoj shprehjen ‘’zonë e komfortit’’ dhe si në cdo sferë tjetër, as këtu ajo nuk ju bën mirë. Çka dua të them me këtë është se shumica e studentëve apo njerëzve në përgjithësi nuk ndihen rehat në momentin kur duhet të flasin anglisht në prani të shumë personave, veçanërisht para personave që nuk i njohin; ndihen më mirë nëse në klasa janë vetëm ata me profesorët. Ndihemi më mirë nëse mësojmë duke lexuar një libër, shikojmë një film apo plotësojmë ushtrime vetëm apo me të tjerët; është pjesa ku ne ndihemi rehat, më të sigurtë në atë që bëjmë. Por në momentin që dikush na pyet, për shembull, të inçizojmë zërin tonë duke lexuar apo të pyesim dikë që se njohim diçka në anglisht, ne hezitojmë sepse janë gjëra qe s’jemi mësuar t’i bëjmë – janë përtej nesh. Por ky është hapi i parë që duhet të bëni. Të mposhtni hezitimet, dyshimet në vete dhe frikën se do bëni gabime apo do paragjykoheni nga të tjerët. Kur vendosni të dilni nga zona e komfortit, ju i jepni vetes mundësinë të komunikoni me të tjerët më lirshëm, të mësoheni me ndjenjën e sikletit, të gaboni në prani të të tjerëve, të lejoni të tjerët të ju përmirësojnë gabimet dhe të kuptoni që të gjitha këto janë normale dhe veç se ju ndihmojnë të lironi të folurit. Fundja, gabimet janë mësime – shihini si të tilla.

Mëso anglishten përmes të të dëgjuarit – Të mësuarit e gjuhës përmes librave është në rregull nëse qëllimi juaj është që të ushtroni apo përforconi leximin, të mësoni fjalë të reja, etj. Mirëpo nëse keni për qëllim të bëheni më të mirë në folurit e gjuhës, librat nuk janë mënyra më e mirë për të arritur atë. Pse të tentosh të ushtrosh të folurit duke lexuar fjalë e tekste kur mund të gjesh pjesë të ndryshme të të dëgjuarit që të mundëson të kuptosh si shqiptohen fjalët, të kapësh kontekstin, të shohësh si flitet anglishtja natyrshëm e si të përdorësh shprehje perveç fjalë. Ta marrim një shembull të thjeshtë: Ta zëmë se ti nuk di të gatuash dhe po të duhet një recetë gatimi për të përgatitur ushqimin tënd të preferuar. Një mik i yti ndërkohë di si ta përgatisë atë. Cfarë bën ti? A zgjedh të ndalesh dhe të lexosh recetën apo të pyesësh mikun të ta demonstrojë se si e bën ai? Cila mendon se të ndihmon më shumë; të lexuarit e recetës apo ta shohësh fiks mënyrën si bëhet nga dikush që tashmë e di? Njësoj dhe me gjuhën, zgjedh metodën që të mundëson përvetësimin e saj në mënyrë më të lehtë dhe efektive.

Praktikoni të folurit me të tjerët; – Mënyra më e mirë për të përmirësuar të folurit dhe theksin, në fakt, është të praktikosh me dikë anglishtja e të cilit është më e mirë se e jotja ose edhe më mirë – me dikë që anglishten e ka gjuhë të parë. Ndjekni kurse të komunikimit me profesorë ndërkombëtar nga vendet anglisht folëse. Është ndryshe kur ushtron vetëm apo edhe në klasë me profesorë; aty mund të përsërisësh, të kthehesh dhe të përmirësosh veten, të kërkosh nga profesorët të të përmirësojnë, etj., por është e rëndësishme të angazhohesh në ambiente ku të duhet të flasësh pa u menduar shumë gjatë nëse po gabon apo jo, në mënyrë që të fitosh shprehinë që mos të ngarkosh kokën nëse të duhet kjo apo ajo fjalë por të lejosh që fjalët të vijnë e të dalin natyrshëm. Mos i bëj shumë presion vetes që patjetër të tingëllosh drejt. Përmes bisedave dhe të ushtruarit çdo ditë, duke gabuar dhe mësuar prej tyre me kohë shumë prej gabimeve s’do i bësh më. Askush nuk mund ta përvetësojë të folurit apo dhe gjuhën në përgjithësi brenda ditës andaj duhet shumë praktikë, durim dhe motiv.

Shkruar nga Azmirë Samadraxha,
English Courses Coordinator, Anglia Academy Kosovo