fbpx

5 këshilla se si të përmirësoni rrjedhshmërinë e të folurit në anglisht

Rrjedhshmëria e një gjuhe do të thotë të flasësh lehtë, në mënyrë të arsyeshme shpejt dhe pa pasur nevojë të ndalesh e të mendosh për kohë të gjatë. Rrjedhshmëria përfshin dy anë: fizike dhe atë mendore. Fizikisht, goja juaj duhet të zhvillojë aftësinë për të prodhuar fjalët që vijnë nga mendja juaj. Mendërisht, truri juaj duhet të zhvillojë aftësinë për të gjetur dhe prodhuar fjalë, fraza dhe fjali shpejt dhe pa probleme.

Kur bëhet fjalë për komunikimin në më shumë se një gjuhë, rrjedhshmëria është sigurisht e dëshirueshme, por nuk është thelbësore që komunikimi të zhvillohet. Ju mund të komunikoni me një folës amtar nëse keni një nivel mesatar në anglisht, por të qenit me të vërtetë të rrjedhshëm në anglisht ofron shumë përparësi, veçanërisht në botën e biznesit.

Një gjë është të jesh në gjendje të krijosh një varg fjalësh në anglisht, tjetër gjë është nëse vargu i fjalëve është në të vërtetë i kuptueshëm për dikë që po dëgjon. Pra rrjedhshmëria e gjuhës është rrjedhë, por është rrjedhë me kuptim.

Kjo përfshin edhe një faktor tjetër, dëgjuesin. Në mënyrë që të jemi efektivë gjatë komunkimit, duhet të kemi parasysh edhe me kë po flasim, në mënyrë që shpejtësia e transmetimit dhe gjatësia kohore e të folurit të jenë të përshtatshme për dëgjuesit tanë.

Në fund të fundit për të gjithë studentët tanë, qëllimi kryesor që ata ndjekin kurse apo shkolla të gjuhës angleze, është komunikimi. Ata po studiojnë a mësojnë një gjuhë në mënyrë që të jenë në gjendje ta përdorin atë – dhe ta përdorin atë në mënyrë efektive. Kjo është ajo që studentët kërkojnë nga mësimet e tyre të anglishtes, nga mësuesit e tyre të anglishtes: të jenë në gjendje të funksionojnë me kompetencë në anglisht, jo vetëm në klasë, por jashtë saj gjithashtu.

Aftësitë e shkëlqyera të komunikimit janë aftësia numër një që ata duhet të marrin me vete në botë nëse do të kenë sukses, pavarësisht drejtimit apo fushës së studimit të tyre. Dhe kompetenca komunikuese në anglisht, le ta quajmë ‘rrjedhshmëri’, është çelësi për të qenë në gjendje të studiosh dhe të punosh qoftë brenda apo jashtë vendit. Kjo është ajo që studentët tanë synojnë. Ky është prioriteti i tyre numër një në klasat/orët e anglishtes. Dhe duhet të jetë prioriteti ynë numër një, si mësimdhënës, të ndihmojmë studentët tanë të bëhen komunikues të suksesshëm, kompetent dhe të rrjedhshëm.

Të arrish të jesh i rrjedhshëm në anglisht mund të marrë shumë kohë, por këtu janë disa këshilla për t’ju ndihmuar të tingëlloni sa më natyrshëm kur flisni anglisht:

 

Lëreni egon tuaj

Gjëja e parë dhe më e rëndësishme që mund të bëni si një nxënës i gjuhës angleze është të hiqni dorë nga egoja juaj. Të flasësh në një gjuhë të huaj është kufizuese – nuk mund të jesh aq i mirë apo aq i shpejtë sa je në gjuhën tënde amtare.

Është normale të ndihesh i vetëdijshëm për të bërë gabime, ose t’u kërkosh njerëzve të përsërisin veten, por është e rëndësishme të mbani mend se askush nuk kujdeset për gabimet tuaja aq sa ju. Sapo të humbisni frikën për të bërë gabime ose për t’u dukur ‘budalla’, do ta keni shumë më të lehtë të flisni pa pengesa.

Gjithashtu, është në rregull të tregoni që nuk dini diçka dhe të kërkoni ndihmë nga të tjerët, qoftë mësimdhënësit apo kolegët, në mënyrë që t’i jipni vetes mundësinë të përmirësoheni.

 

Praktikoni, praktikoni, praktikoni

Tani që jeni më pak të shqetësuar për gabimet, mund të praktikoni të folurit – dhe sa më shumë të flisni, aq më shpejt do të përmirësoheni. Ka shumë mënyra se si mund të praktikoni të folurit, edhe nëse jeni vetëm. Mund të flisni me veten në pasqyrë ose të lexoni me zë të lartë për të përmirësuar shpejtësinë dhe rrjedhshmërinë.

 

Përgatituni për biseda

Do të jeni shumë më të sigurtë për të folur nëse ndiheni të përgatitur dhe një mënyrë e mirë për ta bërë këtë është të provoni bisedën paraprakisht. Nëse e dini se do të flisni anglisht në një situatë të caktuar, për shembull duke rezervuar një hotel, provoni atë që do të thoni. Kishte fjalë që nuk i dinit? Atëhere kërkoni fjalorin që ju nevojitet dhe provoni përsëri. A ka pasur ndonjë frazë që keni hasur në vështirësi për ta kuptuar? Kontrolloni gramatikën dhe bëni disa shënime përpara se të provoni përsëri.

 

Gjeni disa fraza të zakonshme për t’i përdorur gjatë komunikimit

Përveç të përgatiturit për të folur, një aftësi e rëndësishme komunikimi është aftësia për të dëgjuar dhe për t’u përgjigjur. Një nga arsyet është se të folurit është kaq i sikletshëm ndonjëherë  sa që ndiheni tmerrshëm në një bisedë kur nuk dini çfarë të thoni.

Por mësimi i disa frazave të zakonshme komunikimi do t’ju ndihmojë të flisni më rrjedhshëm në anglisht. Ju mund ta përmirësoni të folurin tuaj me fraza të tilla si “Oh, I did not know that” ose “I can’t believe it” dhe kjo do të ndihmojë për të plotësuar çdo boshllëk. Bëni një listë të këtyre shprehjeve bashkëbiseduese dhe vazhdoni ta përditësoni kur të mësoni një të re dhe do të vini re se kjo do të bëjë një ndryshim të madh në rrjedhshmërinë tuaj kur flisni.

 

Disiplina

Të folurit me vetëbesim dhe rrjedhshmëri është një nga sfidat më të mëdha për gato çdo nxënës të gjuhës, kështu që shpesh është më e lehtë të bësh një detyrë leximi ose një detyrë me shkrim. Por mënyra më e shpejtë për t’u përmirësuar është të kesh një qasje të disiplinuar. Pra, praktikoni të flisni me veten çdo ditë. Përgatituni për çdo bisedë në anglisht që do të keni. Mësoni shprehje e fraza komunikimi, edhe kur ju duket si punë e vështirë. Dhe nëse keni disiplinën për të vazhduar përpjekjet, do të shihni se rrjedhshmëria juaj e të folurit do të përmirësohet me kohë.