fbpx

Si të zgjeroni fjalorin në një gjuhë të re?

Jeni munduar të mësoni një fjalë pa pushim por për disa arsye, ajo thjesht shkon në një vesh dhe del nga tjetri! Kur filloni të mësoni një gjuhë të re, numri i madh e fjalëve të panjohura para jush mund të duket tepër i frikshëm. Ju duhet të kuptoni se si t’i lidhni fjalët dhe t’i bëni ato të punojnë së bashku për të thënë gjërat që dëshironi t`i thoni. Duke marrë parasysh që mësimi i fjalëve të reja është një pjesë krejtësisht e pashmangshme e mësimit të gjuhës, dua të ndaj me ju disa nga teknikat më të mira për të mësuar fjalët.

 

Rrjetëzimi i fjalëve

Ndonjëherë, një fjalë e vetme mund të ketë shumë kuptime të ndryshme. Çfarë mund të bëjnë studentët e anglishtes për t’i mbajtur të ndara të gjitha këto kuptime? Si është e mundur të siguroheni që kur shihni ose dëgjoni një fjalë, e dini saktësisht se për cilin përkufizim është fjala? Përgjigja është konteksti.

Pra, si mund t’ju ndihmojë konteksti të mësoni fjalë në mënyrë më efikase? E thjeshtë! Kur shkruani një fjalë, mos e shkruani kurrë atë vetë. Në vend të kësaj, shkruani një fjali ose frazë duke e përdorur atë fjalë, së bashku me një përkufizim ose përkthim. Kështu, kur mësoni një fjalë të re së bashku me fjalë të tjera të ngjashme që shfaqen shpesh krahas saj, ju krijoni një lloj “rrjeti fjalësh” në mendjen tuaj. Sa herë që kujtoni një fjalë ajo automatikisht do t’ju sjellë në mendje fjalët e tjera që ju nevojiten për të shprehur kuptimin e saktë.

 

Të dëgjuarit dhe të lexuarit njëkohësisht

Të folurit dhe të dëgjuarit janë aftësi që mbështesin njëra-tjetrën.Të dëgjuarit është një aftësi që mbështetë shumë leximin dhe është shumë më efikase t’i bësh të dyja përnjëherë; të dëgjosh ndërsa lexon dhe të lexosh ndërsa dëgjon. Nëse jeni duke lexuar një tekst që vjen me audio, për shembull, luani audion ndërsa lexoni. Nëse teksti juaj nuk ka audio, përpiquni ta lexoni tekstin me zë të lartë për veten tuaj. Praktikimi i dëgjimit dhe leximit së bashku është një mënyrë e shkëlqyer për të forcuar lidhjen midis tingujve të folur dhe simboleve të shkruara të gjuhës, në mënyrë që të mësoni më shpejt nga të dyja.

Përsëritja

Kur keni qenë në shkollë jam e sigurtë se jeni përpjekur të mësoni duke i përsëritur gjërat vazhdimisht. Ndonjëherë mund të ketë qenë rraskapitëse për ju, por që kjo të ndryshojë ju duhet ta bëni atë në një mënyrë që ta mbani materialin të freskët dhe tërheqës sa herë që e rishikoni. Mund të provoni teknikën e njohur si “Përsëritja dinamike”.

Së pari, filloni duke lexuar një tekst normalisht.

Së dyti, prisni disa ditë dhe kthehuni tek ai material.

Së treti, kur të ktheheni te materiali, përdorni një qasje të ndryshme. Nëse keni lexuar fillimisht një tekst, tani bëni një regjistrim audio duke e lexuar me zë të lartë. Nëse keni dëgjuar disa audio, përpiquni të shkruani atë që keni dëgjuar.

Më pas, pritni edhe disa ditë dhe kthehuni sërish tek materiali. Përsëriteni nga hapi 3 sipas nevojës.

Së fundi, sa herë që i ktheheni materialit, përpiquni ta përvetësoni atë në një mënyrë të re, ta shifni nga një këndvështrim tjetër. Kjo do t’ju lejojë të rishikoni të njëjtën përmbajtje dhjetëra herë përpara se të mërziteni prej saj. Me pak kreativitet, do të habiteni se sa e lehtë është t’i jepni frymë të re një burimi të vjetër informatash.

 

Merrni shënime

Jo gjithmonë ju kujtohet fjala e duhur në momentin e duhur. Ekziston një mënyrë e thjeshtë për ta mbajtur në mend të gjithë fjalorin tuaj, edhe atëherë kur nuk mund t’i mbani mend. E tëra çfarë ju duhet të bëni është të mbani shënime! Për të përdorur mbajtjen e shënimeve si një mjet efektiv për memorizimin e fjalorit, do t’ju duhet një fletore e vogël që mund ta mbani me vete, por në këtë kohë gjithçka që ju nevojitet është telefoni juaj. Sa herë që zbuloni një fjalë të re, të panjohur në gjuhën tuaj të synuar, shkruajeni atë, së bashku me datën dhe kontekstin kur dhe ku u gjet fjala. Merrni shumë shënime dhe rishikoni ato, kështu do të keni një mjet të domosdoshëm për të mësuar fjalët dhe për të mos i harruar kurrë ato.

 

Dorentinë Isufaj,

English Teacher at Anglia Academy Kosovo