fbpx

6 gabimet më të shpeshta gjatë të mësuarit të një gjuhe të re

Të mësuarit anglisht nuk është një udhëtim që mbaron me një destinacion të caktuar. Është një rrugëtim i vazhdueshëm ku tërë kohën ke diçka të re për të mësuar. Është e vërtetë që mund të jetë e vështirë ndonjëherë dhe nëse qasja apo mënyra e të mësuarit është e gabuar, kjo e bën edhe më të vështirë procesin e të mësuarit anglisht.

Gabimet në gjuhë nuk përfshijnë vetëm gabimet gramatikore apo strukturore që bëjmë kur mësojmë apo flasim anglisht; në fakt këto janë gabime që me kohë dhe pratikë, përmirësohen. Çka kanë rëndësi më shumë, janë metodat apo strategjitë e gabuara që bëjmë gjatë të mësuarit të gjuhës e që nëse mund t’i shmangim, e shohim se do na ndihmojnë për të bërë progres më të shpejtë se më herët dhe do jenë më efektive në përvetësimin e gjuhës.

Cilat janë këto gabime atëherë?

 

Tentoni të gjeni një mënyrë të shpejtë dhe të shkurtë për të mësuar gjuhën. Ne mendojmë se gjithmonë ekziston ndonjë truk për të mësuar gjuhën angleze, ndonjë mënyrë më e shpejtë që në fakt na bën të mos i përkushtohemi tamam të mësuarit e kuptuarit. Ne e shohim si detyrim ta mësojmë gjuhën, sepse na duhet e jo pse duam dhe e konsiderojmë si kohë të panevojshme ndaj dhe duam ta reduktojmë kohën që ja kushtojmë të mësuarit. Vetëm një orë në ditë ushtrimesh dhe më pas një pauzë prej disa ditësh nuk ndihmon, të dëgjosh një këngë apo shikosh një film nuk do të thotë se menjëherë do ta mësosh anglishten. Në vend të kësaj, provo çdo ditë nga pak, provo ta marrësh më seriozisht këtë proces dhe kushtoji më shumë kohë dhe vëmendje. Ji konsistent.

Fokusoheni në gramatikë. I qaseni mësimit të gjuhës në mënyrë të gabuar; përmes librave, gramatikës, rregullave, përmendësh. Rregullat e gramatikës si definicione vetëm se ju pengojnë në lirshmërinë për të folur gjuhën. Fundja, secili person që mundohet të mësojë anglishten, është i fokusuar në të folurit e gjuhës dhe jo në të mësuarit e rregullave sa për të thënë.

E sforconi të folurit. Ky është gabim që perveç studentëve, shpesh e bëjnë edhe mësuesit. Tentojnë të shtyjnë studentin të flasë para se të jetë i gatshëm ose para se të dijë gjërat bazike të gjuhës. Kjo rezulton më shumë në humbjen e vetëbesimit tek studentët se sa që ndihmon në përmirësim të gjuhës. Studentët kanë nevojë për kohë të kuptojnë gjërat elementare fillimisht dhe deri sa të jenë vetë të sigurtë për të filluar të shprehen.

Provoni të flisni shpejt. Kur shohim një folës amtar duke folur shpejt, ne mendojmë se kjo është mënyra e drejtë për të folur; e shohim si rrjedhshmëri dhe nivel të lartë të gjuhës. Por është e kundërta në fakt, shumicën e gabimeve që i bën kur flet shpejt, nuk do i bëje po të flisje më ngadal. Mënyra e shpejtë e të folurit nuk është rrjedhshmëri e gjuhës.

U frikësoheni gabimeve. Është e natyrshme të kesh frikë apo pasiguri të flasësh kur je në fillimet e të mësuarit të gjuhës; është më e lehtë të aprovoni me kokë se sa të provoni të formoni një fjali. Mendoni se të tjerët do të mendojnë keq për ju nëse gaboni, do ju gjykojnë mënyrën si flisni, etj, ndaj zgjedhni të mos flisni shumë. Ky është gabim. Pa provuar, pa praktikuar të folurit, nuk mund të përmirësoheni. Madje edhe folësit amtarë të gjuhës angleze bëjnë gabime tërë kohën. Qëllimi juaj nuk duhet të jetë të mos bëni gabime, qëllimi juaj duhet të jetë të mundoheni të komunikoni më lirshëm, të ndani idetë tuaja, të thoni mendimet tuaja në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme.

E krahasoni progresin tuaj me atë të të tjerëve. Mendoni pse nuk keni rezultat të njëjtë me dikë që ndoshta është në të njëjtin nivel me ju në klasë por mund të shprehet më mirë apo kupton gjërat më shpejt. Keni dyshime nëse edhe ju mund të arrini të njëjtin nivel si ata dhe e shpërqendroni veten nga të gjeturit mënyrën përmes të cilës ju mësoni më së miri. Por, gjithkush mëson në forma të ndryshme dhe secila formë apo teknikë nuk ka efekt të njëjtë tek secili student.

Mbështeteni vetëm në shkolla të gjuhës. Shumica e studentëve presin vetëm nga shkolla apo mësuesit të jenë përgjegjës për progresin apo suksesin e tyre. Dhe kjo nuk është e drejtë; mësuesit luajnë rol të rëndësishëm në suksesin tuaj por tamam përgjegjës për atë që arrini ose jo, për mënyrën si mësoni, qasjen tuaj ndaj të mësuarit, etj, jeni vetë ju. Askush nuk mund të ju shtyjë apo motivojë të mësoni më shumë se sa ju veten.