fbpx

Rëndësia e gjuhës angleze në tregun e punës

”Sa më shumë gjuhë njeh, aq më shumë vlen”

 

Përpos arsimimit cilësor dhe përgatitjes se nevojshme profesionale, në tregun e punës është shumë e rëndësishme edhe njohja e gjuhëve të huaja në përzgjedhjen e një kandidati për një vend të caktuar të punës. Njohja e gjuhëve të huaja është gjithmonë përparësi në secilin aplikim të çfarëdo profesioni, e në disa madje është një nga kriteret që duhet të plotësosh për t’u punësuar.

Në shumicën e rasteve, punëdhënësit janë të interesuar të punësojnë kandidatë që përveç se kanë një bagazh të pasur profesional, kanë edhe njohuri të gjuhëve të ndryshme të cilat e favorizojnë atë për një pozitë të caktuar.

Pa dyshim se gjuhët e huaja i hapin më leht dyert e punësimit në profesionin e dëshiruar, kudo në kompani, në organizata e në institucione që i përshtaten profesionit dhe specializimit përkatës. E një ndër gjuhët më të kërkuara dhe më të rëndësishme në tregun e punës tash e sa kohë, është gjuha angleze.

Gjuha angleze konsiderohet si gjuha ndërkombëtare e biznesit. Është gjuha më e përhapur në botë, ndaj nëse nuk e keni praktikuar shumë, do ta keni të vështirë të arrini të komunikoni dhe të krijoni marrëdhënie me persona të tjerë apo me vende pune. Numri i njerëzve të cilët flasin gjuhën angleze po rritet dita ditës dhe nëse dëshironi të zhvilloheni profesionalisht, ju nevojitet që ta perfeksiononi atë.

Anglishtja nuk është vetëm gjuha më e folur botërisht, por është gjithashtu gjuha kryesore e botës së korporatave e në tregun e punës. Rëndësia e saj është e pamohueshme. Ndaj nëse nuk dini anglisht dhe e dini se keni nevojë ta mësoni në mënyrë që të keni më shumë mundësi të gjeni një vend në tregun e punës apo të jeni më të arrirë në vendin ku tashmë punoni, vishjuni punës dhe filloni ta mësoni gjuhën; atë gjenerale apo të biznesit.

 

Çka ju ndihmon të njohurit e gjuhës angleze në tregun e punës?

 

Aftësia e të folurit anglisht në vendin e punës ka një sërë benefitesh: ndihmën e kompanisë tuaj për të pasur sukses, fitimin e besimit tek kolegët dhe klientët, krijimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, ngritjen e aftësive tuaja personale e të tjera.

Të dish të komunikosh anglisht është një aset i rëndësishëm për shumë kompani dhe organizata përfshirë edhe ato që nuk e kanë anglishten gjuhë zyrtare. Kompanitë që operojnë ndërkombëtarisht ka më shumë gjasa të bashkëpunojnë me njerëz apo biznese që e flasin anglishten, gjë që e bën këtë gjuhë një aftësi të vlefshme në punë.

Në ambientet e punës, ju jeni pjesë  e një ekipi ku do të ju lidhin shumë punë të ndryshme me njëri – tjetrin. Në kompanitë e huaja, gjuha angleze është baza e komunikimit dhe do të keni të bëni edhe me klientë të huaj me të cilët ju duhet të flisni anglisht. Gjuha në këtë rast duhet të jetë e praktikuar por edhe e specializuar në fushën e biznesit, pasi shumë detaje të saj do të ju ndihmojnë në komunikim, në krijim të marrëdhënieve të besueshme biznesore, në prezantimin e punës suaj dhe në krijimin e marrëveshjeve.

Njerëzve që u kërkohet anglishtja në vendin e punës, do të ju duhet ta përdorin gjuhën për gjëra të ndryshme përfshirë takimet dhe negociatat, menaxhimin, hartimin e raporteve, përgatitjen e prezantimeve e situata të ndryshme sociale në përgjithësi.

Mbi 50% të faqeve në internet janë të shkruara në gjuhën angleze, që do të thotë se keni më shumë mundësi për qasje në informacione nëse e flitni gjuhën sesa nëse nuk e dini atë. Qasja në këto informacione mund të ketë një ndikim të vertetë në jetën tuaj profesionale edhe nëse nuk punoni në një vend ku flitet anglishtja apo me kolegë që e flasin anglishten, ngase kjo mund të ju mundësojë të kuptoni më shumë rreth projekteve, raporteve apo thjesht temave të ndryshme lidhur me pozitën ku punoni.

Nëse keni dëshiruar gjithmonë një punë e cila ju jep mundësinë të udhëtoni nëpër shumë vende, anglishtja do të jetë një ndihmesë për ta arritur këtë gjë. Ju do të keni mundësinë të njiheni me persona të huaj, klientë potencialë me të cilët do të arrini të komunikoni në gjuhën angleze si gjuhë të përbashkët e që mund të rezultojë në bashkëpunime apo mundësi të ndryshme pune.

Me praktikë të shumtë, ju krijoni vetëbesim dhe aftësi për tu shprehur në gjuhën angleze. Keni mundësi më të mëdha gjatë intervistave por edhe për ta zgjeruar karrierën tuaj. Studimet tregojnë që personat të cilët njohin shumë gjuhë kanë mundësi më tepër për tu rritur profesionalisht.