fbpx

Komunikimi efektiv si një nga aftësitë më të rëndësishme të mësimdhënësve të gjuhës angleze

Përderisa çdo ditë e më shumë gjuhës angelze është duke i’u dhënë rëndësi në procesin mësimor, në përgjithësi, prej mësimdhënësve të gjuhës angleze pritet që të jenë më kompetentë për të zhvilluar aftësitë bazë të gjuhës në mënyrë që të zhvillojnë aftësitë komunikuese të nxënësve.

Sot, aftësitë e komunikimit me nxënësit konsiderohen si një aspekt tjetër i rëndësishëm i mësimdhënësve të gjuhës angleze për një mësimdhënie efikase. Përveç aftësive akademike dhe profesionale që mësimdhënësit e gjuhës angleze mund të kenë, aspektet e aftësive gjenerike të mësimdhënësve të gjuhës angleze që përfshijnë elementet njohëse që lidhen me aftësitë joakademike, siç është aftësia e komunikimit, janë po aq të rëndësishme në procesin e mësimdhënies e mësimnxënies.

Për sa i përket aftësive të përgjithshme, aftësia e komunikimit është më e rëndësishmja që u nevojitet mësimdhënësve të gjuhës angleze për të optimizuar përvojën e të nxënit të studentëve.

Aftësitë efektive të komunikimit kërkohen për mësimdhënie efektive të gjuhës angelze. Mësimdhënësit e gjuhës angleze pritet të zotërojnë mirë gjuhën dhe të kenë aftësi të shkëlqyera komunikimi. Aftësitë e komunikimit përfshijnë përdorimin efektiv të gjuhës së synuar, mënyrën e të folurit, gjuhën e trupit dhe shprehjet e fytyrës, lartësinë dhe tonin e zërit dhe aftësitë ndërpersonale.

Një keqkupim në mes të mesazhit të synuar dhe atij të marrë mund të shkaktojë probleme në rezultatin dhe qëllimin më të mirë të mësimdhënies. Aftësitë e dobëta të dëgjimit, përdorimi i dykuptimtë i gjuhës verbale dhe joverbale, semantika e dobët dhe vlerat dalluese janë të gjitha elemente që mund të shtrembërojnë një mesazh.

Për t’u bërë komunikues efektivë, mësimdhënësit e gjuhës angleze duhet të jenë të vetëdijshëm për këto probleme të mundshme dhe të punojnë me vetëdije për t’i eliminuar ato nga ndërveprimet e tyre në klasë. Ata gjithashtu duhet të kenë njohuri për rëndësinë e gjuhës në procesin e të mësuarit, e cila u jep një rol jetësor mësimdhënësve të gjuhës angleze.

Në aftësitë komunikuese, gjuha e trupit dhe shprehja e fytyrës së mësimdhënësit ka një rëndësi të madhe, e cila e motivon ose pengon pjesëmarrjen e nxënësve. Prania që mësimdhënësit e gjuhës angleze kanë në klasë është thelbësore në përcaktimin se “sa” zhvillohet mësimi dhe “sa mirë” zhvillohet ai.

Një atmosferë mësimi pa presion nga ana e mësimdhënësve të gjuhës angleze është jashtëzakonisht e rëndësishme në klasën e mësimit të gjuhës. Më shumë se sa sjellja verbale e mësimdhënësve të gjuhës angleze, është sjellja joverbale ajo që ka rëndësi. Vetëbesimi i mësimdhënësve të gjuhës angleze, sjellja e sigurtë, toni i zërit dhe kontakti me sy janë disa tregues pozitivë të një ore efektive e produktive të mësimit.

Disa nga mënyrat në të cilat gjuha e trupit mund të përmirësojë atmosferën e dëshiruar brenda klasës janë: Mbajtja e kontaktit me sy me nxënësin me të cilin po flisni dhe me çdo nxënës në klasë; qëndrimi drejt  dhe ecja me kokën lart, në vend që të përkulesh, me kokë të ulur; të kesh një fytyrë të qetë dhe të relaksuar – duke buzëqeshur dhe qeshur lehtësisht; përdorimi i shprehjeve të fytyrës që tregojnë se po dëgjoni dhe po i përgjigjeni asaj që thotë nxënësi; buzëqeshja dhe tundja me kokë kur një nxënës po thotë diçka dhe të ju kushtoni vëmendje në atë që nxënësit duan të thonë, shprehin, pyesin e të dijnë.

Idetë, mendimet, ndjenjat, opinionet, qëndrimet, informacionet dhe madje edhe keqinformimet mund të komunikohen përmes gjuhës. Njerëz të ndryshëm shprehin të njëjtën ide me fjalë të ndryshme. Gjuha është një mjet që shërben për katër funksione kryesore: funksioni social, funksioni informues, funksioni shprehës, funksioni udhëzues.

Këto katër funksione janë të rëndësishme për komunikim efektiv në klasën e gjuhës. Duke pasur parasysh këto funksione të rëndësishme të gjuhës, ne, si mësimdhënës të gjuhës angleze, mund të vlerësojmë nëse studentët tanë janë komunikues efektivë.

Shumica e të diplomuarve janë të mirë në shkrimin e përgjigjeve të bukura letrare. Megjithatë, aftësia e tyre letrare nuk është e mjaftueshme që ata të jenë në gjendje të komunikojnë në mënyrë efektive në situatat e përditshme.

Aftësia për të komunikuar kërkon që ne të përdorim gjuhën për të kryer funksione ndërpersonale si fillimi i një bisede, bashkangjitja apo të larguarit nga një bisedë, duke e bërë dëgjuesin të ndihet rehat, duke dhënë opsione etj. Kompetenca a aftësia e thjeshtë gjuhësore nuk është e mjaftueshme. Natyrisht, nuk mund të mohohet vlera e zotërimit gjuhësor, e cila është baza e aftësive komunikuese.

Në mësimin e gjuhës angleze duhet t’i kushtohet rëndësi zhvillimit të aftësive të të dëgjuarit, të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit njëkohësisht. Këto aftësi gjuhësore janë themeli i aftësive të komunikimit si një ndër detyrat kryesore të mësimdhënësve të gjuhës angleze.

Një komunikues i mirë është një dëgjues i mprehtë dhe i interesuar. Edhe një dëgjues i mirë nuk do të thotë që është patjeter një folës efektiv. Për të qenë një folës i mirë, duhet të zotëroni theksin, ritmin dhe intonacionin e gjuhës angleze. Gjithashtu duhet të keni parasysh tonin e zërit dhe të përdorni efektivisht shprehjet e fytyrës, gjestet, kontaktin me sy dhe qëndrimin. Një komunikues i shkëlqyer përdor gjuhë verbale dhe joverbale për të arritur të komunikojë qartë me të tjerët.

Në mësimin e gjuhës angleze, bota akademike dhe ajo reale nuk duhet të qëndrojnë të ndara. Nga këndvështrimi i nxënësit, humbja më e madhe e kohës në shkollë vjen nga paaftësia e nxënësit për të shfrytëzuar jashtë shkollës përvojat dhe mësimet që merr në shkollë. Për të plotësuar këtë boshllëk, aftësisë së komunikimit duhet t’i kushtohet rëndësi në mësimdhënien e gjuhës po aq sa vetë gjuhës.