fbpx

4 arsye pse duhet t'i dërgoni fëmijët në kampe verore

Kampi u ofron fëmijëve mundësi të ndryshme për të zhvilluar aftësi të rëndësishme jetësore që janë të vështira për t’u arritur në çdo mjedis tjetër.

Në kampe verore fëmijët janë plotësisht vetvetja dhe në këtë mënyrë ata zhvillojnë shkathtësi dhe mësojnë pa presion, pa e kuptuar se në fakt po mësojnë, përmes lojës dhe argëtimit.

Më poshtë janë vetëm disa nga përfitimet e shumta që fëmijët tuaj të marrin nga përvoja në kampe verore.

Mundësi e mirë të njohin miq të rinj

Një vend plot me fëmijë me të njëjtat interesa dhe një organizator aktivitetesh argëtuese – kjo është mënyra më fantastike për të bërë miq të rinj. Në kamp, fëmijët mësojnë të lidhen me njëri-tjetrin në bazë të qëllimeve të përbashkëta. Duke punuar së bashku drejt zgjidhjes së një problemi apo arritjes së diçkaje, fëmija merr eksperiencë të vyer të cilën më vonë do e ndajë me shumë fëmijë të tjerë. Nga kjo pikë, lindin edhe miqësitë. 

 

Shkëputja nga teknologjia

Fëmijët e sotëm shpenzojnë më shumë se 7.5 orë në ditë të angazhuar me teknologjinë, e cila shpesh zë vendin e aktiviteteve jetësore praktike dhe mundësive të socializimit. Shumica e kampeve verore ndalojnë shumicën e teknologjisë, duke përfshirë televizorin, telefonat inteligjentë, tabletët dhe kompjuterët personal. Pushimi nga teknologjia gjatë verës u mundëson fëmijëve të komunikojnë ballë për ballë, një mënyrë e shkëlqyeshme për t’i bërë fëmijët të kenë një mënyrë jetese më aktive.

 

Rritja e Vetëbesimit

Përvetësimi i aftësive të reja, arritja e qëllimeve dhe pjesëmarrja në aktivitete produktive, përforcon një karakteristikë jetike – vetëbesimin. Të fitojnë në një mini Olimpiadë kampi, të pikturojnë diçka nga natyra apo të shprehin fjalinë e parë në një gjuhë tjetër, detyrimisht rrisin vetëbesimin tek fëmijët. Me më shumë siguri në vete për të provuar gjëra të reja, për ti shprehur mendimet e veta, për të mësuar nga gabimet, – kështu del një fëmijë nga kampi, një njohës më i mirë i vetes nga ç’ishte dje.

 

Puna në grup (socializimi)

Puna në grup ka rëndësi sepse ndihmon në zhvillimin e aftësive të komunikimit, pjekurisë emocionale dhe aftësive drejtuese(leadership). Kuptimi i punës në grup e ndihmon një fëmijë të kuptojë se puna me të tjerët ndonjëherë është mënyra më efikase për t’i bërë gjërat.

Në vend që të mendojnë se duhet t’i trajtojnë vetë detyrat, ata do të vlerësojnë punën në grup si një zgjidhje. Diçka tjetër që fëmija mëson në kamp është edhe të pranojë njerëz të tjerë duke thyer kështu tabut dhe paragjykimet e pashëndetshme që mund t’i jenë krijuar.  Kampet janë pikë bashkimi për çdo fëmijë. Në momentin që fëmijët arrijnë të zbulojnë sesa të përbashkëta kanë, krijojnë shoqëri shumëvjeçare.

Shumë vende të botës po praktikojnë mbajtjen e kampeve verore pasi që fëmijëve u jepet shansi të jenë pranë njerëzve të rinj dhe të mësojnë gjëra të reja në një mjedis që nuk u ekspozohet çdo ditë dhe është një mënyrë e mrekullueshme për t’i mbajtur fëmijët të zënë në një mënyrë produktive dhe frytdhënëse që i ndihmon ata të vazhdojnë me mësimnxënje edhe gjatë pushimeve verore.