Rrjedhshmëria e gjuhës angleze Vs Saktësia
Gjuha angleze është një gjuhë ndërkombëtare të cilën njerëzit nga e gjithë bota e mësojnë për të komunikuar me njëri-tjetrin. Saktësia dhe rrjedhshmëria janë dy faktorë që mund të përcaktojnë suksesin e studentëve të gjuhës angleze në të ardhmen.
Në thelb saktësia është aftësia për të prodhuar fjali të sakta duke përdorur gramatikën dhe fjalorin e duhur. Nga ana tjetër, rrjedhshmëria është aftësia për të prodhuar gjuhën lehtësisht dhe pa probleme.
Saktësia është relative. Një fëmijë shumë i vogël nuk është i aftë për të njëjtin nivel saktësie të gjuhës angleze si një i rritur. Fëmija normalisht do të bëjë gabime dhe do të përdorë fjalorin e gramatikën në mënyrë jo të saktë.
Mësimdhënësit që përqendrohen në saktësinë e gjuhës angleze i ndihmojnë studentët e tyre të prodhojnë anglishte të saktë gramatikisht në të shkruar dhe të folur, duke synuar në mënyrë ideale saktësinë e një folësi amtar.
Në orët mësimore ku vëmendje i kushtohet saktësisë së gjuhës angleze më shumë se sa rrjedhshmërisë së saj, fokusi kryesor do të jetë në prezantimet dhe ushtrimet gramatikore, të kuptuarit e leximit dhe të tema të ngjashme.
Një folës i rrjedhshëm i gjuhës angelze, nga ana tjetër, mund të bëjë gabime gramatikore, por do të flasë ose do të shkruajë me efikasitet (pa pauza). Ata do të jenë në gjendje të bisedojnë lirshëm dhe të flasin me folësit amtarë të gjuhës angleze për shumë tema të ndryshme pa pasur ndonjë problem.
Rrjedhshmëria në përgjithësi rritet përderisa nxënësit përparojnë dhe ndihen më rehat dhe të lirë duke përdorur gjuhën.
Mësimdhënësit e gjuhës angleze që përqendrohen më shumë në rrjedhshmërinë e gjuhës i ndihmojnë studentët e tyre të shprehen lirshëm në anglisht. Ata i kushtojnë më shumë vëmendje kuptimit dhe kontekstit dhe shqetësohen më pak për gabimet gramatikore.
Aktivitetet tipike të rrjedhshmërisë janë loja me role dhe aktivitete më komunikuese ku anglishtja përdoret si një mjet komunikimi dhe jo si qëllim në vetvete.
Duke pasur parasysh se nevojat e nxënësve a studentëve duhet të diktojnë gjithmonë atë që u mësoni atyre, pyetja nëse është më e rëndësishme të punohet për saktësinë apo rrjedhshmërinë në orën e gjuhës angleze mbetet dilemë.
Shumë mësimdhënës besojnë se rrjedhshmëria është një qëllim që ia vlen të synohet vetëm me studentët që janë në një nivel më të avancuar. Mësimdhënës të tjerë, janë të mendimit se mësimi i një gjuhe ka të bëjë me komunikimin, për ta, rrjedhshmëria duhet të jetë qëllimi kryesor në mësimdhënien e gjuhës angleze dhe se ajo duhet praktikuar që në fillim të mësimit të gjuhës.
Mësuesit më tradicionalë priren t’i japin saktësisë një rëndësi më të madhe; mësuesit më liberalë priren drejt rrjedhshmërisë.
Shpesh një sistem arsimor tradicional ku fokusi i tërë procesit mësimor janë testet dhe provimet, do t’i bëjë studentët (dhe mësimdhënësit e tyre tradicionalë) të besojnë se saktësia e gjuhës angelze është ajo që ka më shumë rëndësi, dhe dhënia e përgjigjeve “të sakta” shpesh bëhet një obsesion.
Studentët që janë mësuar në këtë mënyrë mund të plotësojnë çdo boshllëk gramatikor që mund t’u jepni, por do të ngurrojnë e do ta kenë problem në bisedat më të thjeshta në gjuhën angelze, p.sh, për të porositur një kafe në një situatë reale.
Nga ana tjetër, një qasje më komunikuese dhe pa vrarë shumë kokën për gabimet gjatë të folurit do të prodhojë studentë që mund të bisedojnë gjerësisht për pothuajse çdo temë, por mund të bëjnë gabime të tmerrshme drejtshkrimore dhe gramatikore gjatë shkrimit e të shprehurit të tyre.
Në fund, megjithatë, me të vërtetë gjithçka varet nga nevojat e studentit.
Për sa i përket metodologjive të mësimdhënies, në përgjithësi, qasja komunikuese është ajo që favorizon më shumë rrjedhshmërinë, ndërsa qasja audio-gjuhësore dhe ajo gramatikore e përkthimit favorizojnë saktësinë.
Zakonisht, në nivelet fillestare, kur studentët nuk kanë njohuri të mjaftueshme rreth gjuhës angleze dhe rrjedhimisht nuk është se kanë për t’u shqetësuar për rrjedhshmërinë, mësimëdhënësit priren të përqendrohen në saktësinë e gjuhës. Kjo vazhdon deri në nivelet pak më të larta ku përfshihen aktivitete të rrjedhshmërisë si diskutimet dhe debatet.
Më vonë, kur studentët janë përdorues të pavarur të gjuhës angleze, bëhet një kombinim aktivitetesh e ushtrimesh me qëllim të dyja; saktësinë dhe rrjedhshmërinë bashkë.
Një gjë e rëndësishme që duhet pasur parasysh, megjithatë, është se paragjykimi i tepërt drejt një mënyre ose një tjetër nuk është i mirë. Saktësia pa rrjedhshmëri nuk është e dobishme dhe anasjelltas. Një kombinim i mirë në bazë të nevojave të studentit është mënyra ideale për të organizuar orët e gjuhës angleze për rezultat sa më të mirë.
Po për ju, cila ka më shumë rëndësi?