fbpx

2 metodat e të mësuarit anglisht; metoda tradicionale VS metoda bashkëkohore

Përvetësimi i fjalëve në gjuhën angleze apo gjuha në përgjithësi nuk është detyrë e lehtë për ata që e mësojnë anglishten si gjuhë të dytë apo të huaj. Studimi i pjesëve gramatikore e strukturore gjatë të mësuarit anglisht nuk është një detyrë e lehtë në AGJD (Anglishtja si Gjuhë e Dytë apo si gjuhë e huaj), për shkak të alternativave të tyre të shumta dhe natyrës së tyre polisemike në përgjithësi. Ato paraqesin një sfidë të madhe për studentët e gjuhës angleze.

Është shumë e rëndësishme që mësimdhënësit të zhvillojnë metoda efektive të mësimdhënies. Në raste të tilla, mësimdhënësit e gjuhës angleze duhet të ndërmarrin hapa efektivë dhe seriozë për të aplikuar metodologji të sofistikuara, me qëllim të tejkalimit të vështirësive me lehtësi dhe sigurimit të një trajtim real të tyre në mesin e grupeve heterogjene gjatë të mësuarit anglisht. Gabimet që bëhen nga studentët që e mësojnë anglishten si gjuhë të huaj (AGJH), ndodhin nga shkaqe të ndryshme.

Në mesin e të gjitha këtyre shkaqeve, dy janë kryesore: Njeri nga gabimet shkaktohet nga ndërhyrja përmes gjuhës amtare dhe tjetri përmes ndërhyrjes nga strukturat joadekuate gjatë të mësuarit anglisht. Shumë pjesë gramatikore të gjuhës angleze, psh, parafjalët mbeten një problem i jashtëzakonshëm për çdo student të AGJH, për shkak se studenti a studentja shpesh i lidhë ato me sistemin e parafjalëve të gjuhës shqipe.

Mësimdhënia mund të realizohet në mënyra të ndryshme, por është pikërisht mënyra në të cilën ajo zhvillohet, që përcakton suksesin ose dështimin e këtij procesi. Ndër metodat, që kanë qenë në qendër të vëmendjes së studiuesve të kësaj fushe, për vite me radhë, janë metodat tradicionale të mësimdhënies me në qendër të procesit mësimor mësuesin gjatë të mësuarit anglisht, dhe metodat bashkëkohore të mësimdhënies me në qendër të procesit mësimor nxënësin.

Në mësimdhënien tradicionale, mësuesi është në qendër të procesit mësimor dhe i transmeton nxënësit informacion të zbërthyer prej vetë mësuesit. Kjo mënyrë e përftimit të informacionit rezulton më pak produktive se metoda e ndërtimit aktiv të informacionit prej vetë nxënësit, pasi memorizimi i informacionit të gatshëm është më i vështirë për t’u realizuar, sesa kur informacioni zbërthehet prej vetë nxënësit gjatë të mësuarit anglisht apo cfarëdo gjuhe tjetër.

Metoda tradicionale fokusohet në inpute, tek mësuesit dhe lëndët e saj, është e ngurtë në strukturë dhe në shpërndarjen e kohës dhe informacioneve. Ajo paraqet një sjellje të nivele të ulta dhe të thjeshta të fushave njohësedhe emocionale. Në këtë mësimdhënie sigurohet një shkallë e lartë e  kontrollit nga ana e mësuesit në klasë, ka strategji të njejta, dhe nxënësi mbetet gjithmonë rolin e dëgjuesit gjatë orës mësimore.

Metodat bashkëkohore të mësimdhënies kanë këto përparësi ndaj metodave tradicionale: Së pari, nxënësi merr pjesë aktive në zbërthimin e informacionit që prezanton mësuesi dhe ndërton në mënyrë aktive njohuritë e veta gjatë të mësuarit anglisht. “Konceptet nuk mund të transferohen thjesht nga mësuesi tek nxënësi, ato duhet të perceptohen”.

Së dyti, në mësimdhënien bashkëkohore zhvillohet fryma e bashkëpunimit. Nxënësit punojnë në çifte, grupe apo skuadra, për të zgjidhur probleme, si dhe per të përgatitur projekte në klimën e ndërvarësisë pozitive dhe përgjegjësisë individuale. Bashkëpunimi i suksesshëm në të mësuarit anglisht kërkon që nxënësit të shkëmbejnë informacion në procesin e ndërtimit të njohurive. Ai realizohet përmes ndërveprimit të drejtpërdrejtë mes nxënësve për të prodhuar një produkt që përfshin biseda dhe diskutime.

 

Krijimi i ambientit inkurajues për mësimin e gjuhës së huaj mbetet një ndër përparësitë e metodës moderne apo bashkëkohore të mësimdhënies; mësimdhënësi duhet të kuptojë proceset e përfshira në marrjen e një gjuhe tjetër dhe të inkurajojë nxënësin të aktivizohet në to (zhvilllimi i katër aftësive gjuhësore).

Tjera përparësi apo benefite të kësaj metode janë edhe:

  1. Komunikimi në gjuhë të huaj dhe përdorim i saktë i strukturave gjuhësore – Mësuesi kupton rëndësinë e komunikimit gojor gjatë të mësuarit anglisht dhe bashkëvepron me nxënësin në gjuhë të huaj; shpjegon saktë strukturat gramatikore të gjuhës.
  2. Përgatitja dhe përshtatja e materialeve plotësuese dhe përdorimi i medias në mësimdhënie – Mësuesi zotëron aftësinë për të krijuar materiale në gjuhë të huaj dhe përzgjedh materialet autentike në varësi të moshës dhe nivelit gjuhësor të nxënësve.
  3. Përdorim i pasur i fjalorit në gjuhë të huaj – Mësuesi zotëron fjalor të gjerë e të shumëllojshëm dhe mundëson përdorimin e tij nga nxënësi.
  4. Të shkruarit si proces – Mësuesi synon përdorimin e saktë të gjuhës së shkruar dhe motivon nxënësit të shkruajnë lloje të ndryshme tekstesh.
  5. Puna me portofolin në gjuhë të huaj – Mësuesi organizon portofolin në mënyrë efektive, nxit punën krijuese të nxënësit dhe e motivon vetëvlerësimin nga ana e nxënësit.

Në  procesin e mësimdhënies bashkëkohore gjatë të mësuarit anglisht, përveq ndryshimeve tjera ka ndryshuar edhe roli i nxënësit i cili nuk është sikurse ka qenë në  mësimdhënien tradicionale në cilësinë e dëgjuesit dhe përvetësuesit pasiv të përmbajtjeve mësimore. Tani nxënësi është  në  cilësinë e subjektit dhe  është faktori më  i  rëndësishëm i cili është i pranishëm që nga  planifikimi i punës mësimore, formave, metodave e teknika, objektivave e deri te  përmbushja, udhëheqja dhe drejtimi i veprimtarisë mësimore.

Në mësimdhënien bashkëkohore nxënësi është aktiv, ai e kupton atë që mëson, i vërteton dhe praktikon njohuritë e mësuara. Ata nxiten  për  të menduar  në  mënyrë  kritike. Gjatë veprimtarive  mësimore  nxënësit krijojnë, bashkëbisedojnë, diskutojnë, shqyrtojnë, zgjidhin problemet, zbulojnë  (hetojnë), kritikojnë, analizojnë, gjykojnë.

Për ndryshim nga mësimdhënia tradicionale, në mësimdhënien bashkëkohore të të mësuarit anglisht, nxënësi mendon për atë që mëson, e përdorë në jetën e përditshme, ndërton përvojën dhe aftësohet për të punuar në mënyrë të pavarur. Sot nxënësi, interesat, aftësitë, prirjet, nevojat janë pikëmbështetje e të gjitha strategjive bashkëkohore të mësimdhënies. Prandaj  njohja e nxënësit përmes dosjeve, mbledhjeve të prindërve, vëzhgimit, testeve vlerësuese etj. është një çështje që duhet ta ketë parasysh çdo mësimdhënës për ta organizuar një mësimdhënie cilësore dhe frytëdhënës.

Detyra e mësimdhënësit është që të ofrojë mundësi të përshtatshme për nxënësit për të mësuar  dhe të diskutojë me ta për  çfarë ecën mirë dhe çfarë jo. Të mësuarit konstruktivist, duke përfshirë edhe analizën dhe interpretimin nga nxënësit si dhe zbatimi i detyrave kërkojnë kohë. Prandaj mësuesi,  ndoshta së bashku me nxënësit, duhet të bëjë zgjedhjen se cilat janë temat që meritojnë më shumë kohë për t’u trajtuar.

“Bëj më pak, por bëje mirë.”

 

Shkruar nga Medina Berisha,

English Teacher at Anglia Academy Kosovo